Kufomat e dy personave janë gjetur brenda disa valixheve në një fushë në Firence të Italisë. Autoritetet lokale dyshojnë se trupat e pajetë u përkasin një çifti shqiptarësh, të zhdukur që prej vitit 2015.
Bëhet fjalë për Shpëtim dhe Teuta Pasho që shkonin në Castelfiorentino për të vizituar fëmijët e tyre. Ata humbën kontaktet pesë vite më parë në Nëntor. Ajo që ka bërë autoritetet të dyshojnë se kanë të bëjnë me çiftin Pasho është një tatuazh në krahun e një kufome. Në të është vizatuar një spirancë, mbishkrimi i qytetit të Vlorës dhe disa fjalë të tjera shqip. Çifti kishte marrë me qira një apartament në Scandicci për të qëndruar pranë djalit të tyre që vuante një dënim në burgun Sollicciano. Ai ishte i dënuar për trafik droge. Personi i fundit që kishte qenë në kontakt me çiftin ka qenë vajza e tyre, Dorina. Sipas mjekëve ligjorë, burri është therur në fyt, ndërsa gruaja është rrahur për vdekje derisa është mbytur. Mbetjet trupore të tyre janë futur në disa valixhe. Ato janë lidhur me najlon dhe me celofan. Valixhet janë gjetur disa metra larg njëra-tjetrës. Ato ishin të mbuluara me dhé dhe madje kishte nisur të mbinte bar. Kjo për autoritetet do të thotë se kanë qëndruar aty prej kohësh. Disa prej ekspertëve mendojnë jo më shumë se dy vjet, për shkak se zona dy vite më parë është pastruar, por nuk përjashtohet që kufomat të jenë vendosur aty edhe më parë. Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe vajza e çifti, e cila ka denoncuar e para zhdukjen e tyre që në viti 2015. “Unë fola me karabinierët dhe unë jam duke pritur për përgjigjet e tyre për testin e ADN-së”, ka thënë ajo. Shpëtim dhe Teuta Pasho nga Vlora u zhdukën në Castelfiorentino më 2 Nëntor 2015. Pas zhdukjes së çiftit, i vetmi informacion lidhur me ngjarjen e rëndë, është telefonata që mori vajza e tyre nga një numër anonim në të cilën nëna e saj i tha se nuk donte të kërkohej nga askush. Comments are closed.
|
Kategorite
All
Arkivi
March 2021
Copyright studiojaime 2020. Te gjitha te drejtat jane te rezervuara. |
Copyright © 2020