KUPTIMI I THJESHTËSISE
1. NDARJE E HESHTUR Mori xhaketën e varur pa derdhur asnjë pikë lot dhe iku – sikur të merrte hënën e varur në qiellin veror. Ai nuk e besoi. Priti të njëjtën mbrëmje, ditën tjetër dhe tjetrën ditë. Priti. Pasi u mbushën dy javë, me kthimin e hënës, e dinte që nuk do të vinte. Vetëm pasqyra ishte e vetmja që e kujtonte si një dritare e hapur në një qiell pa hënë. Sepse e kishte marrë me vete xhaketën e saj. 2. KUPTIMI I THJESHTËSISË Pas gjërave të thjeshta fshihem, që të më gjeni nëqoftëse nuk më gjeni, do të gjeni gjërat, do të prekni ato që prekën duart e mia, do të bashkohen gjurmët e duarve tona. Hëna e gushtit vezullon në kuzhinë si një tenxhere e kallajisur ( për këtë që po ju them bëhet kështu) ndriçon shtëpinë e zbrazët dhe heshtjen e gjunjëzuar të shtëpisë – përherë heshtja mbetet e gjunjëzuar. Çdo fjalë është një dalje për një takim, shpesh herë të kotë dhe atëherë është një fjalë e vërtetë, pasi këmbëngul në takim. 3. FALËNDERIMI Ti nuk do më thuash faleminderit, ashtu siç nuk u thua faleminderit rrahjeve të zemrës sate të cilat të latojnë fytyrën e jetës. Por unë do të të them faleminderit sepse e di se çfarë të detyrohem. Ky falënderim është kënga ime. 4. NJË GJEST Ja sërish diçka që të pëlqen befas, diçka e parëndësishme si gjesti i gruas që merr nga vazoja lulet e thara – nuk i hedh menjëherë, qëndron, mendohet një lëvizje meteori, e penduar prej të mëparshmeve – nëqoftëse i flet, nuk do të dëgjojë – një gjest tërësisht i shurdhët, si fjala që vendos në poezi dhe mandej kthehesh dhe pyet: ‘’The gjë ?’’. Dhe as që të intereson se ku u shpall lufta dhe aeroplanët e mëdhenj çajnë perëndimin e diellit me hijet e mëdha të zeza dytehëshe mespërmes së kuqes. 1971 DRITË Një degëz bajameje para dritares, një degëz e vetme të fsheh gjysmën e fshatit. Dashuria me pëllëmbën e saj të fsheh gjithë botën. Mbetet vetëm drita. VETMI E VOGËL Në cepin e oborrit, midis ujrave me sapun disa trëndafilë u përkulën nga pesha e kundërmimit të tyre. Askush nuk u merrte erë atyre trëndafilëve. Asnjë vetmi nuk është e vogël. Perktheu : Iliaz Bobaj Comments are closed.
|
Kategorite
All
Arkivi
April 2021
Copyright studiojaime 2020. Te gjitha te drejtat jane te rezervuara. |
Copyright © Studioja ime 2020