Ilir Meta është futur në një qerthull pa krye duke dashur të justifikohet për akuzat e shumicës parlamentare, se ai po bën fushatë kundër partisë shtet. Rama e akuzon se po takon fshehtas personazhet e OFL-së, presidenti i përgjigjet se ai monitorohet nga garda. I pari hedh dyshime për takime okulte politike, i dyti i tregon perimetrin e lëvizjveve Lalëz-presidencë. Kryeministri dhe njerëzit pranë tij e denoncojnë se po bën përpjekjet e fundit për të shpëtuar LSI-në nga disfata, kreu i shtetit simulon takime fallco me gjoja OJF.
I gjithë ky teatër, që nuk e beson askush, duhet të marrë fund. Të gjithë e dinë se tashmë prej shumë kohësh, Ilir Meta është futur në një kurs të mirfilltë prej opozitari. Të gjithë e kuptojnë se ai e ka kapërcyer rolin steril të njeriut që qëndron mbi palët. Me dekretet e kthyera, me ministrat e pa nënshkruar, me zgjedhjet lokale të anulluara, ai ka përvijuar më tepër rolin e një kundërshtari ndaj autokracisë, sesa të një presidenti të një republike normale demokratike. Prandaj në vend që të dredhojë për atë që realisht po bën, Ilir Meta duhet ta marrë burrërisht përsipër qëllimin që i ka vënë vetes. Gjithkush e ka të qartë se ai nuk po del nga kornizat e juridiksionit presidencial në një situatë të zakontë. Gjithkush e kupton se përballë ai ka një kundërshtar që sillet sipas modelit të hajdutit që thërret kapeni hajdutin. Vetë Edi Rama ka thyer çdo lloj kodi ligjor dhe moral për mospërfshirjen e administratës në zgjedhje. Ai është i njëjti që i bëri thirrje policëve të heqin kapelet dhe të bëjën fushatë për PS-në. Ai është i njëjti që shfrytëzoi dhënien e tapive, fshat më fshat për qëllime elektorale. Ai nuk po tregon asnjë farë skrupulli për të përdorur tragjedinë e tërmetit, në funksion të zgjedhjeve të fund prillit dhe po sillet si një infermier ambulant duke berdhur nëpër Shqipëri me një dorë vaksina, po për të njëjtin qëllim. Pra, të dëgjosh nga frymëzuesi i vjedhjes së votave me Avdylajt në Durrës dhe i zbulimit të çamëve në Dibër, se kreu I shtetit po i tejkalon disi korrnizat strikte të ligjit, është kulmi i pafytyrësisë.Kësaj hipokrizie, Ilir Meta nuk ka pse i përgjigjet me të njëjtën monedhë.Një presidenti të cilit partia shtet i ka përmbysur në mënyrë të kundërligjshme dekrete si ai për dividentin, që nuk ka pranuar në mënyrë banditeske ti botojë aktet në fletoren zyrtare, që i ka ndryshuar sipas qejfit të drejtat dhe kompetencat, nuk mund të luajë rolin idiot të atij që qëndron mbi palët. Në këtë mënyrë ai do të të kthehej në lolon e regjimit. Ilir Meta nuk është veshur prift, madje as nuk e ka përkundur këtë fantazi dhe në ëndrrat e veta më të çmendura, që të kthejë faqen tjetër, sa herë e godasin nga njëra anë. Me mënyrën plot hije dhe dritë, kulisash dhe përballjesh, intrigash e betejash, me të cilën e ka çarë rugëtimin e tij politik, një sjellje e tillë as që mund të pretendohet prej tij. Por, jo vetëm presidenti aktual, por askush tjetër në vendin e tij, nuk do të kishte luksin të sillej në mënyrë asnjëanëse në kushtet e këtij regjimi. Ç’do lloj barazlargimi kundrejt kësaj bande, do të ishte një lloj kolaboracionizmi me të. Pikërisht për këtë, Ilir Meta duhet ti flakë dhe skrupujt e fundit presidencialë dhe të hidhet kokë e këmbë në fushatë. Natyrisht, duke e bërë, duhet të marrë parasysh se roli i tij do të fshikullohet në ndonjë raport të ODHIR, se në një rekomandim të mundshëm të Venecias kjo praktikë do të goditet, se diplomatët sqimtaro – qesharakë të Tiranës, do të rrudhin buzët për këtë sjellje. Por ama e rëndësishme është të identifikojë se kë ka përballë, se beteja kryesore është kundër dikujt që nëse do të ishte shqetësuar për këto detaje, nuk do ta kishte drejtuar Shqipërinë drejt një autokracie erdoganeske. /Lapsi.al/ Nga Enkel Demi Edi Rama foli dhe një herë për situatën: “Do vazhdojmë me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete që duhet t’i mbajmë sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi, kur vdesin e të mbajmë fjalim…”.
Unë kam nanën në shtëpi, grua zonjë, e moshuar, por nuk ka qenë kurrë komuniste, ish-sigurimse dhe me kriteret e kryeministrit të Shqipërisë asnjë herë në anën e duhur të historisë. Natyrisht, meqë nuk plotëson kriteret e këtilla i thashë sot të ngrohet në diell, sepse përfiton dy gjëra; e para, theket, e dyta, merr vitaminë D qelepir. Zeqiri Mero, nëse më në fund nuk i është dhjerë shpirti, ishte 100 vjeç, kur e përqafonte gjithë dashuri Rilindasi. Sipas gazetarit Dashnor Kaloçi në vitin 1945 Zeqiri Mero ka zbatuar një radiogram urgjent të firmosur nga Enver Hoxha, me cilësinë e Komandantit të Pergjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Ky radiogram aprovonte dënimin me vdekje të gjashtë personave, gjykuar nga një Këshill Gjyqësor Ushtarak i Divizionit të III-të, të Korparmatës së Dytë, të kryesuar nga Kryetari, Irakli Bozo (major) dhe prokuror, Ziqiri Mero, kapiten i parë. Zeqiri Mero është “personalitet” i padiskutueshëm që është vlerësuar me një dekoratë nga Rusia në vitin 2015, me motivacionin që ka qenë i angazhuar në formacionet partizane, në zona të ndryshme të vendit, duke luftuar kundër pushtuesve fashistë. Në nder të tij gjithashtu një rrugë në Korçë thërritet me këtë emër orgurzi. Si Zeqiriu Rilindja ka plot, të moshuar, por ish-prokurorë, ish-KQ-ista apo ish-sekretarë partie, si fjala vjen Spartak Braho dhe Gramoz Ruçi. Këta duhet me çdo kusht të vaksionohen që djalli të rrijë gjallë në shpinë të këtij vendit, kurse nana ime, nana e shumë e shumë të tjerëve duhet të kënaqen, nëse Zoti u fal pak diell, se shoshën e ka Rilindja. Albin Kurti vendosi ti kthejë zgjedhjet e 14 shkurtit në referendum dhe e fitoi atë. Triumfi i tij nuk ishte ai i një njeriu të vetëm kundër të tjerëve, por humbja e përbashkët e të gjithë atyre që iu kundërvunë një vullneti të gjërë popullor për ndryshim.
Në këtë kuptim, simboli i kësaj të diele të Shën Valentinit ka një rezonancë shumë më të madhe se ai i një rotacioni të thjeshtë pushteti, i rikthimit të drejtësisë dhe mirë qeverisjes, apo i fillimit të ç’kapjes së shtetit. Ai është njëkohësisht një test dhe një shpresë, për gjithë rajonin tonë, që nga Tirana e në mbarë vendet e atij që për konvencion jemi mësuar ta quajmë si Ballkani perendimor. Dhe kjo për disa arsye… Të mësuar me rotacione që nuk pjellin ndryshim, rrallë kemi parë që një elitë që ka zënë rrënjë, që ka krijuar përreth saj klientelën financiare, ka uzurpuar një pjesë të mirë të shoqërisë civile dhe mediave, të arrijë të përmbyset me zgjedhje. Natyrisht ka ndodhur dikur në Beograd, kur opozita e kohës me në krye Zoran Xhinxhiqin hodhi poshtë pushtetin e Millosheviçit. Ngjau edhe tani së fundi në Podgoricë, kur një koalicion laraman partish e nxori në opozitë vllazërinë e përjetshme të Gjukanoviçit. Por të dyja rastet, sado të suksesshme të kenë rezultuar, kanë qenë në thelb lëvizje anti. Risia e Vetëvendosjes është se ajo mbart me vete një alternativë dhe një projekt. Ajo ka një koherencë ideore, një këndvështrim për botën, një propozim për shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë, që e ka shpënë në një rritje galopante në katër palë zgjedhje, duke e çuar progresivisht nga 13% në 2014, në fitoren e shumicës sot. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë tejet kritike me dogmën neoliberale të tranzicionit postkomunist, që krijoi një kastë të pasanikësh të kamur padrejtësisht, përmes privatizimeve të egra, krijimit të monopoleve dhe konkurencës fiktive. Ajo e ka luftuar këtë model, që edhe në Kosovë ashtu si në të gjithë rajonin, ka prodhuar shumë papunësi, pabarazi dhe emigrim masiv drejt shteteve më të pasura që aplikojnë politika më sociale. Pikërisht për këtë qasje, një grup prej 77 intelektualësh të së majtës botërore, me në krye Slavoi Zhizhekun, bënin thirrje për të votuar këtë herë Vetëvendosjen, si një alternativë ndaj paradigmës neoliberale përballë të cilës duhet të rreshtohen të gjithë ata që përbëjnë frontin kundër saj. Modeli që mbron VV, ai që Kurti e lexoi në progarmin e qeverisë së parë, për “kthimin e sensit të barazisë në shoqëri”, është një refren i padëgjuar në këto anë. Po ashtu zotimet për të qenë një kabinet për mbrojtjen e punëtorit dhe mos lejimin e shfrytëzimit të orëve të tij të punës, tingëllojnë si herezi në një mjedis ku kryeministrat e tjerë i ftojnë investitorët që të derdhin paratë në një vend ku nuk ka sindikata. Edhe zotimi për shkrirjen e agjensisë së privatizimit për të krijuar Fondin Sovran, që do të menaxhojë pasuritë e Kosovës, apo krijimi i Bankës Zhvillimore që do të financojë sektorët produktivë të ekonomisë, që nxisin punësimin, janë praktika të patestuara më parë. Ato së bashku premtojnë një shoqëri më të ndershme, më të drejtë, më pak të polarizuar, shkurt më të mirë dhe më të jetueshme. Pra, rëndësia e referendumit, apo e revolucionit me votë që prodhuan zgjedhjet e 14 shkurtit nuk është vetëm tek zotimet standarte që premtojnë kudo opozitat, ato për çrrënjosjen e korrupsionit, largimin e hajnave, apo mbylljen e kapitullit të klanit pronto. Ai nuk është as thjeshtë ndëshkimi i një klase politike të pa aftë e të prapambetur, që i mbush boshllëqet e saj me servilizmin proverbial ndaj të huajve. Ai nuk mund të reduktohet as me largimin e atyre që udhëhiqnin sipas parimit: “ju votoni, ne vendosim”. Jo dhe jo. Thelbi i tij është se ai propozon zëvendësimin e një modeli shoqëror, me një të ndryshëm. Prandaj ajo që është duke ndodhur në Prishtinë nuk ka rëndësi vetëm për Kosovën. Ai është një test për gjithë Ballkanin perendimor. Ai vlen si një provë për të parë nëse shteti i vërtetë social mundet ti japi fund eksperimetit shkatërrimtar neoliberal që po kopjohet kudo njësoj, që pas rënies së komunizmit. Ai ka rëndësi për të kuptuar nëse rotacioni i prodhuar nga zgjedhjet gjen dot forcën për të ndryshuar dhe politikat. Në këtë sens, ajo që po ndodh këto ditë është e pa precedent. Më shumë sesa për të sotmen ajo ka vlerë si një perspektivë për të ardhmen e të gjithëve ne. Prandaj kundërshtarët e realë të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes nuk janë, as kasta e vjetër që ai i ka mundur, as ata që do e luftojnë me ç’do mjet, madje as liderët e tjerë të rajonit që po e vëzhgojnë me çudi dhe frikë rritjen e pa imagjinueshme që ka realizuar, duke besuar në qëllime dhe mjete krejt të ndryshme nga të tyret. Armiku real i Albinit do të jetë kryeministri Kurti. Rreziku i vërtetë i tij do të jetë tradhëtimi i revolucionit të arritur me votë, në emër të sirenave që ftojnë çdo kënd për të menduar vetëm për jetëgjatësinë e pushtetit. Askush sot nuk mund të vërë bast, nëse në rastin e Kosovës, profecia e Orruellit se të gjitha revolucionet përfundojnë në një dështim, do të përgënjeshtrohet. Askush nuk mund të dalë garant se as ne, nuk do të përjetojmë para syve tanë, lëngatën e turmave të frikësuara nga tradhëtia e liderit, të cilën e përshkruan aq bukur Malaparte. Por edhe pa këto këto siguri absolute, sërish, ajo që po ndodh këto ditë është e pa krahasueshme. Qoftë edhe vetëm si mirazh, apo qoftë edhe vetëm si ftesë, që na bën të ëndërrojmë dhe të diskutojmë për një shoqëri të ndryshme, fitorja e Vetëvendosjes ka vlera historike. Prandaj le ta shijojmë këtë datë që na dëshmoi se shpresa për dyshim nuk ka vdekur. Por bashkë me të, të nesërmen e festës, le të përgatitemi të jemi edhe gardianë të vlerave dhe parimeve që na sollën deri tek ajo, duke e mbrojtur atë me çdo kusht, madje dhe nga vetë Albini po qe e nevojshme. Nga Boldnews.al Një hetim i SPAK, sot i ka hequr nga duart bisturinë mjekut Edvin Priftit. Me të drejtë, apo pa të drejtë, këtë e gjykon koha, drejtësia, provat kur të janë të hapura dhe vendimi fundor i gjykatës. Por në shtëpinë dhe zyrën e mjekut u gjet një shumë e madhe parash, sipas raportimeve mediatike rreth 500 milionë lekë të vjetra.
Vlerë e “frikshme” dhe dilemë e madhe. Nuk dihet nëse shuma është rezultat i punës dhe vizitave e operacione në klinika dhe spitale private, apo nëse atë e ka bërë duke shfrytëzuar spitalin shtet për alleshverishe me jetët e pacientëve. Vështirë të ndash në këto momente të vërtetën mes ligjit dhe moralit, për mjekun Edvin Prifti. Shumë jetë ka shpëtuar, ndoshta edhe kundrejt shpërblimit. Ne duhet ti themi mjekut Edvin që të marrë rrogën 80 mijë lekëshe nga piktori Edvini dhe me atë pagë, ai duhet të jetojë, të blejë një shtëpi, të rrisë fëmijët, të vishet, të hajë dhe të rrijë edhe tetë orë në operacione të vështira. Më pas të marrë autobusin kapic të bashkisë së Lali Erit dhe të shplodhet në shtëpi, duke parë në TV adashin e tij, Edvinin piktor, që bën edhe kryeministrin në kohën e lirë, ashtu sa për argëtim! Vetë Edvini piktori shprehu vlerësime për punën e SPAK që arrestoi një gjyqtare të Krujës, Enkeleida Hoxha, avokatin Aldo Tabaku, ekspertin mjeko-ligjor, sekretaren e gjykatës dhe pesë sekserë. Mes atyre që e pësuan po nga kjo dosje ishte edhe mjeku Edvin Prifti, i cili del në përgjimet e SPAK ku kryen një operacion dhe mendohet se ka marrë një shumë parash. Edvin piktori sa për shfaqje, shprehu vlerësime për punën e kryer nga Prokuroria Speciale, duke dhënë parapashtesën: “ne që duam reformën në drejtësi”. Mjeku Edvin punon në QSUT, në atë çerdhe ku zien korrupsioni, ku gëlojnë tenderat, apo i jepet me konçesion PPP me vlerë 300 milionë euro një kompanie që merrej me tregti cigaresh. Vetë SPAK dosjen e parë hetimore që iu paraqit e plotë në zyrë ishte ajo e konçesioneve në sistemin e shëndetësisë. Për atë çëshje SPAK-u as që është kujtuar, ka më shumë se një vit që rri e mbyllur, pasi kërkush nuk dëshiron ta hapë. Sepse kjo djeg, ajo prish punë për ta, ajo i tremb të “fortët” e SPAK, pasi aty mund të dalë Edvin piktori dhe jo Edvin mjeku. Po ashtu mallkimet dhe mllefin e kemi nisur mbi Tire pastruesen, këtë mashtruese të babëzitur dhe mbi tre infermiere që bënin pazare të vogla me jetët e të sëmurëve me covid. Por askush nuk u mor me drejtorin e atij spitali që edhe pse i kanë vdekur katër pacientë duke u hedhur nga ballkani, që i dolën punonjësit e spitalit duke marrë ryshfet, sërish mbrohet. E mbron pushteti drejtorin, e mbron partia, e mbron paraja që vjen nga tenderat, e mbron tarafi i shtuar, e mbron gjithçka, por e mbron edhe SPAK-u. A ka përgjegjësi drejtuesi kur shumëçka shkon keq në një spital? Jo, “faji” i gjithi qenka i Edvin mjekut dhe “Tire pastrueses”, ndërsa nga kjo shfaqje, fërkon duart Edvin piktori, i cili këtë çështje po e përdor si kartën e lodhur me shpresë se do të ngjisë në elektorat. Peneli i Edvin piktorit qenka më i rëndësishëm se bisturia e Edvin mjekut…! |
Kategorite
All
Arkivi
April 2021
Copyright studiojaime 2020. Te gjitha te drejtat jane te rezervuara. |
Copyright © Studioja ime 2020